Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Serbia sot ka provokuar sërish, duke i lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën në komunën e Kamenicës.
Kurti tha se institucionet përkatëse të sigurisë së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat sipas tij, kanë për synim nxitjen e tensioneve.
“Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre”, shkroi ai në një postim në Facebook.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë”.
Më tej, Kurti tha se sinergjia në mes strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes si dhe bashkëpunimi me partnerë e aleatë rajonalë e ndërkombëtarë, përbën garanci për sigurinë e Kosovës.
“Ndërkohë, Serbia vazhdon të nxisë tensione nëpërmjet veprimeve hibride, duke synuar destabilizimin e rajonit, megjithëse hapësira për këto manovra po i ngushtohet dita-ditës”, u shpreh ai.
“Kosova mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike, me institucionet e saj vigjilente 24/7, duke mbrojtur vendin e duke siguruar monitorim maksimal të situatës”, përfundoi Kurti.