Kryeministri, Albin Kurti gjatë fjalëë së tij në Këshillin e OKB-së ka vazhduar duke i numëruar me fakte të pavërtetat që proklamoi parafolësi i tij, Aleksandër Vuçiq.
Ai tha se i vetmi shqetësim i Beogradit është ndalimi ì tubacioneve të dinarëve ilegal që kalonin nëpër veri.
“Beogradi ka thirrur alarm jo për shkak të këmbimit të dinarit në euro, por për shkak se po ndalohen thasë me dinarë në kufij dhe ata ankohen jo për shkak të brengës për qytetarët serbë të Kosovës, por sepse ato tubacione të parave në veri të Kosovës po ndalen.
Një rast i qartë ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar.
Rreth 80 paramilitarë të mbështetur nga Serbia filluan një sulm të paprovokuar ndaj patrullës policore në Kosovë duke rezultuar me vdekjen e policit Afrim Bunjaku dhe lëndimin e dy të tjerëve”, tha ai.
Tutje ai shtoi se “Përkundër përpjekjes terroriste duke përdorur edhe pelegrinët e pafajshëm si mburoja, Policia jonë i ka shmangur këto viktima. Më 27 shtator Serbia shpalli ditë zie për terroristët e vrarë nga Policia e Kosovës dhe nga operacioni anti-terrorist”.
Ai madje pati edhe vërejtje të tjera kundrejt fjalimit të Vuçiq, për sulmin terrorist në Banjskë “E vërejtët që sot, z. Vuçiq po rikujtonte disa serbë që janë lënduar apo plagosur në incidente të ndryshme, por nuk i përmendi tre serbët e vrarë, pse nuk i përmendi këta? Sepse e di që ata kanë qenë terroristë të financuar, mbështetur dhe orkestruar nga ai vetë dhe mu për këtë tre serbët e vrarë nuk u përmendën fare”, shtoi Kurti./GAZETAENIGMA/