Kurti bisedoi me studentë të Kolegjit Universitar të Amsterdamit

Kurti bisedoi me studentë të Kolegjit Universitar të Amsterdamit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në mbrëmje zhvilloi një bisedë me studentë të profileve të ndryshme nga Kolegji Universitar i Amsterdamit.

Prof. Anne de Graaf, për vite me radhë organizon vizita studimore në Kosovë ku studentë ndërkombëtarë mësojnë rreth Kosovës dhe për këndvështrime të ndryshme sociale, politike dhe kulturore.

Gjatë bisedës, ata u njoftuan mbi prioritetet e qeverisë dhe punën e saj të deritanishme, politikat progresiste dhe synimet për reforma të domosdoshme në drejtësi, ekonomi, edukim e shëndetësi.

Kryeministri Kurti vuri theksin tek planet e qeverisë për rritjen e punësimit te të rinjtë dhe gratë, dhe lidhshmërinë në mes edukimit profesional dhe tregut të punës. Studentët shfaqën interesim në lidhje me menaxhimin e pandemisë, vizionin e qeverisë për integrim evropian dhe bashkëpunim rajonal, dhe përvojën e kryeministrit Kurti si aktivist politik.

Në fund, kryeministri Kurti u uroi studentëve suksese gjatë studimeve dhe i falënderoi për interesimin që ata kanë për Republikën e Kosovës. /Gazeta Enigma/

Related Articles