Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të hënë mirëpriti në zyrën e tij ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas Kurtit takimi i sotëm u përqendrua rreth vizitës së ministres së Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen në Kosovë.
Kurti pas takimit u shpreh se ishte kënaqësi ta mirëpres ministren Valtonen në Prishtinë për të diskutuar rreth marrëdhënieve bilaterale, çështje me interes për të dy palët dhe për mënyrat e fushat në të cilat mund të thellohen edhe më tej bashkëpunimi e raportet, veçanërisht në fushën e tregtisë dhe mbrojtjes.
Kryeministri dhe ambasadori Nissinen folën për përgatitjen e nevojshme për realizimin e vizitës së një delegacioni të përfaqësuesve të bizneseve finlandeze për të hulumtuar mundësitë dhe avantazhet që vendi ofron për investitorë të huaj.
Kurti e falënderoi ambasadorin për bashkëpunimin e ngushtë në realizimin e suksesshëm të vizitës së ministres Valtonen dhe për mbështetjen e vazhdueshme dhe të rëndësishme të Finlandës ndaj Kosovës, si në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare ashtu edhe në zhvillimin e brendshëm institucional dhe shoqëror.