Kurti dhe ambasadori i Zvicrës nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për menaxhimin e ujërave

Kurti dhe ambasadori i Zvicrës nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për menaxhimin e ujërave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly,kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për mbështetjen e Këshillit Ndërministror për Ujëra, raporton Gazeta Enigma.

Në këtë ceremoni, të pranishëm ishin edhe ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe ministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Memorandumi i bashkëpunimit ka për qëllim krijimin e një kornize të favorshme ligjore, struktura për menaxhim afatgjatë dhe marrëdhënie funksionale ndërmjet hisedarëve dhe institucioneve për të promovuar bashkëpunimin dhe reformat në sektorin e ujërave dhe për të siguruar cilësi të lartë të shërbimeve për të gjithë sektorët e popullatës.

Ndikimi i kësaj mbështetjeje do të rris qasjen për popullatën e Kosovës në burime ujore (të planifikuar, rregulluar dhe mbikëqyrur) mbarështetërore dhe menaxhim të burimeve ujore (furnizim me ujë, kanalizime dhe ujitje).

Para nënshkrimit të memorandumit, Kurti dhe ambasadori Kolly patën një bisedë të gjatë, ku ambasadori ritheksoi mbështetjen e Zvicrës për Republikën e Kosovës dhe rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit.

Kurti e falënderoi ambasadorin për gjithë ndihmën e qeverisë zvicerane përgjatë viteve, duke ia shprehur mirënjohjen veçanërisht për ndihmën e pakursyer në avancimin e sektorit të ujërave nga faza urgjente e pasluftës deri në fazën zhvillimore, por edhe në përgatitjen për të ardhmen.

Kryeministri vlerësoi lart qasjen unike të Zvicrës në mesin e donatorëve për të zhvilluar sektorin nga niveli rural tek ndërmarrjet publike, tek institucionet dhe politikbërja përmes Këshillit Ndërministror për Ujëra.

/Gazeta Enigma/.

Related Articles