Kryeministri Albin Kurti ka shkruar për takimin e djeshëm me Kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer, duke thënë se kanë diskutuar për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, shkruan Gazeta Enimga.
“E njoftova kancelarin për punën e Qeverisë sonë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe për ndikimet pozitive që reformat kanë pasur e vazhdojnë të kenë në performancën e ekonomisë së Kosovës”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.
Kurti ka thënë se e ka diskutuar me Kancelerin Karl Nehammer edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Potencova rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe përshpejtimit të agjendës së integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Kurti
Tutje, dy liderët diskutuan edhe për situatën në Ukrainë, dhe nevojën për ruajtjen e paqes e stabilitetit afatgjatë në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Biseduam për situatën e re politike të krijuar pas agresionit dhe invazionit rus në Ukrainë dhe nevojën për ruajtjen e paqes e stabilitetit afatgjatë në vendet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi i pari i Qeverisë./Gazeta Enigma/