Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me Ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe ambasadorin Sabri Kiçmari, e kanë takuar Kryetarin e Kuvendit të Japonisë Hiroyuki Hosoda.
Kurti, ka bërë të ditur se kanë shprehur interesim për investime japoneze në Kosovë.
“Me Japoninë ndajmë pikëpamje të njëjta sa i përket rrethanave gjeopolitike në botë dhe vlerave demokratike e humane andaj duhet ta shtojmë bashkëpunimin. Paraprakisht, vizitova ambasadën e Republikës së Kosovës në Tokio ku na u bashkangjit për takim edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, z. Gjergj Teneqexhiu”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Të hënën e 26 shtatorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Japoni për të marrë pjesë në ceremoninë shtetërore të varrimit të ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, shefi i ekzekutivit i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë qëndrimit në Japoni do të zhvillojnë edhe takime të tjera zyrtare.
Ndryshe, të premten e 8 korrikut, ish-kryeministri japonez kishte vdekur pasi ishte qëlluar me armë përgjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare.
Abe, 67-vjeçar, i cili njëherësh mbetet kryeministri më jetëgjatë i Japonisë, u qëllua prapa gjersa ishte duke mbajtur një fjalim në fushatë.
Ndërsa në librin e zisë, të hapur në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Kryeministri Kurti, kishte shprehur respektin dhe nderimin për ish-kryeministrin Abe.