Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga ai do të angazhohet maksimalisht që të ruhen të drejtat legjitime të Manastrit të Deçanit.
Kurti ka kërkuar nga liderët fetare të Manastirit që ta bëjnë pjesën e tyre duke kërkuar zgjidhje nëpërmjet dialogut e marrëveshjeve me popullatën lokale.
Ai beson se një marrëveshje e tillë është e mundur.
“Jemi të vetëdijshëm që vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen, por duhet t’i kemi parasysh edhe kundërthëniet që i kanë përcjellë çështjet e tokave përreth Manastirit në aspektin historik dhe atë ligjor. Së pari gjithçka e ka burimin te vendimi i Qeverisë së Serbisë në vitin 1997 kur iu dhanë tokat Manastirit në mënyrë diskriminuese sepse ato ishin pronë e dy ndërmarrjeve publike. Së dyti Manastiri i Deçanit nuk ka identitet të pavarur ligjor sepse ligjërisht i përket kishës ortodokse serbe. Është pak e habitshme se si i është njohur Manastirit e drejta e palës në procedurë. Aq sa është edhe përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në këtë proces duke i dhënë të drejtë Manastirit. Çështja e pronësisë së tokave rreth Manastirit nuk ishte vendosur nga ndonjë Gjykatë përkatëse dhe Kushtetuesja besoj se nuk është dashur të marrë vendim mbi një çështje pa u konsumuar të gjitha shkallët tjera juridike”, ka deklaruar Albin Kurti.
“Manastiri i Deçanit siç e dimë të gjithë është pjesë e mozaikut të pasur kulturor të Kosovës. Fatkeqësisht kisha ortodokse serbe është ajo që është keqpërdorur vazhdimisht nga Serbia si instrument politik kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Ne do të angazhohemi maksimalisht që të ruhen të drejtat legjitime të Manastirit, por edhe liderët fetarë të Manastirit ta bëjnë pjesën e tyre duke kërkuar zgjidhje nëpërmjet dialogut e marrëveshjeve me popullatën lokale dhe besoj që një gjë e tillë është e mundur”, ka thënë Kurti.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2016 i njeh Manastirit të drejtën e pronës mbi 23 hektarë tokë.