Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka njoftuar kryeparlamentarin Dimal Basha, se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt fitues i zgjedhjeve të shkurtit, do ta dërgojë emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë te presidentja sipas procedurës ligjore.
Në një shkrim në Facebook, Basha ka njoftuar se këtë Kurti ia ka thënë pas përmbylljes së seancës konstituive të premten.
Basha e Kurti, sipas njoftimit, kanë diskutuar për rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional dhe realizimit të agjendës legjislative gjatë kësaj legjislature të saponisur.
“Me Kryeministrin Kurti nënvizuam edhe nevojën për të proceduar drejt votimit të institucioneve të reja që derivojnë nga Kuvendi i Kosovës. Me këtë rast, Kryeministri më njoftoi se, si Kryetar i partisë më të madhe në vend, Kryetarja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! si subjekt fitues i zgjedhjeve, znj. Arbërie Nagavci, do ta dërgojë emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë tek Presidentja e vendit, sipas procedurës ligjore”, ka shkruar Basha në Facebook.
Basha është zotuar se Kuvendi të punojë me përgjegjësi të plotë në funksion të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese e ligjore.
Në këtë takim, Kurti ia ka dhuruar Bashës pikturën e titulluar “Pranvera Shqiptare”, punim i Rexhep Selimit, që po mbahet në Hagë nën akuzat për krime lufte.