Pas vrasjes së një gruaje shtatzënë para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Humbjen e dy jetëve, ai e ka quajtur vrasje mizore. Kurti e ka titulluar reagimin e tij “Dy engjëj në qiellin e pistë”.
“Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka thënë se armiqtë e shqiptarëve do të jenë duke menduar se tani janë edhe dy shqiptarë më pak, teksa e ka quajtur të papranueshme dhe të padurueshme ngjarjen e sotme.
“Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor. Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjen e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme”, ka shkruar ai.