Kryeministri Albin Kurti ka emëruar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, edhe në një pozitë tjetër shtetërore.
“Sot kam emëruar Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Koordinatore Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri”, ka njoftuar Kurti përmes një shënimi në Facebook.
Ai thotë se përpjekjet për ta çrrënjosur dhunën ndaj grave dhe vajzave janë të vazhdueshme.
“Për bashkëpunim më të thelluar, me qasje ndër-sektoriale dhe zinxhir institucional të fuqizuar, kemi miratuar Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave (2022-2026). Si përgjigje ndaj dhunës, po e përmirësojmë edhe kornizën ligjore”, ka shkruar Kurti.
Kurti më pas ka numëruar disa nga të arriturat që sipas tij janë bërë në sistemin e drejtësisë
“Na duhet angazhim i përbashkët institucional e shoqëror. Këtë tani e lehtëson Udhëzuesi për funksionalizimin e mekanizmave lokal kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore”, ka shkruar tutje Kurti.
Ai shton tutje se puna në adresimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave dhe vajzave nuk ndalet, vazhdon përditë.