Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës ka deklaruar se prokuroria duhet të zhvillojë procedurat hetimore ndaj policëve rumun të cilët nën ombrellën e UNMIK-ut kishin vrarë dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje me 10 shkurt të vitit 2007 në protestën e cila ishte zhvilluar asokohe.
Kurti i është përgjigjur pyetjes së deputetit të PDK-së, Fadil Nura i cili ka kërkuar nëse kjo çështje ishte shtruar në takim me shefin e UNMIK-ut, Tahir Zanin.
Kryeministri ka deklaruar se ata të cilët kanë vrarë Mon Balaj dhe Arben Xheladinin duhet të dalin para drejtësisë.
“Pas protestës së 10 shkurtit 2007 u pat publikuar një raport asokohe i shefit të shtyllës së dytë në të cilin është konstatuar se vrasja e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt ka qenë edhe e panevojshme dhe e evitueshme. Paneli këshillues për të drejtat e njeriut në kuadër të UNMIK-ut e pati trajtuar këtë çështje me sukses të pjesërishëm dhe jo taman. Tash vlerësojmë se si Qeveri duhet të marr rrugën e drejtësisë, duhet të marr rrugën e organeve të drejtësisë, prokurorisë dhe gjygjësisë ku ne duhet të ndihmojmë. Prej ekipit të policëve që kanë qenë me 10 shkurt 2007, 11 policë gjithsej të Rumanisë në kuadër të UNMIK-ut me siguri prej 11 veta, 2 prej tyre janë vrasës. Por ata nuk janë më nën ombrellën e Unmik-ut por ata janë në Rumani. Prandaj edhe ministrja Haxhiu i ka shkruar Rumanisë mirëpo ata ende nuk kanë kthyer përgjigje. Nuk mund të ngris këtë çështje me Unmikun-un pa vepruar prokuroria jonë. Është koha që të veprojë prokuroria më pastaj të kërkoj Unmik-un edhe si arkiv edhe si instancë nën ombrellën në të cilën kanë qenë ata policë asokohe. Fatkeqësisht në shkurt të vitit 2007 këta policë janë intervsituar si dëshmitar dhe jo si të dyshuar” ka thëne Kurti.