Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen lamtumirëse për Ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev shprehu mirënjohjen e tij ndaj diplomatit Gudjev që përfaqëson Republikën e Bullgarisë, një vend që është jo vetëm mik i sinqertë, por edhe partner strategjik i Republikës së Kosovës.
“Gjatë viteve që kemi punuar së bashku, me përkushtimin tuaj, kemi arritur të avancojmë dhe thellojmë marrëdhëniet dypalëshe mes dy shteteve tona”, tha kryeministri. Bullgaria ka qenë avokuese për ne sa herë që e kemi kërkuar, prandaj sinqerisht falënderojmë autoritetet përkatëse për përkushtimin e tyre të vazhdueshëm dhe të dëshmuar për Kosovën. Në veçanti falënderoi ushtarët dhe oficerët bullgarë që kanë shërbyer dhe shërbejnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it”, tha ai.
“Ambasadori Gudjev po përfundon misionin e tij diplomatik, por miqtë që ai ka bërë këtu do të zgjasin përjetë. Do të na mungojë dhe jam i sigurt se do t’i mungojë edhe Kosova. Prandaj, shpresoj të jetë mysafir i rregullt në vendin tonë, të cilin mund ta konsiderojë si shtëpinë e tij të dytë. Me këtë rast, më duhet të falënderoj jo vetëm Shkëlqesinë e Tij për gjithçka që ka bërë, por nëpërmjet tij, vendin që ai përfaqësoi në mënyrë të admirueshme në Kosovë”, tha Kurti.
“Gjatë mandatit të ambasadorit Gudjev, në Kosovë janë realizuar pesë vizita të zyrtarëve bullgarë, përfshirë Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev dhe janë organizuar 21 vizita të zyrtarëve të Kosovës në Bullgari, përfshirë këtu takimin e kryeministrit Kurti me Kryeministrin e Bullgarisë, Dimitar Glavchev dhe Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev”, thuhet më tej në komunikatë. / Gazeta Enigma.