Prokurori special Naim Abazi ka përmbyllur fjalën përfundimtare duke i thënë Gjykatës Themelore në Prishtinë se rasti i sulmit terrorist në Banjskë, nuk është i zakonshëm, meqë ai është thelbësor për rendin kushtetues të Kosovës.
“Dënimi i vetëm proporcional është burgimi i përjetshëm… Çdo dënim më i ulët do të ishte në shpërputhje me gravitetin e veprës”, ka thënë ai.
Të tre të akuzuarit përballen me akuza të rënda për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjska të komunës së Zveçanit, ku një sulm i armatosur ndaj Policisë së Kosovës çoi në vdekjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e disa pjesëtarëve të tjerë të policisë.
