Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka komentuar festën e futbollistit shqiptar të Zvicrës, Granit Xhaka, pas fitores ndaj Serbisë në Kampionatin Botëror “Katari 2022”.
Pas fitores 3:2, Xhaka pati festuar me fanellën e futbollistit tjetër shqiptar te Zvicra, Ardon Jashari. Festa pati bërë bujë pasi u ndërlidh me mbiemrin e komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.
Në një intervistë për mediumin zviceran “Blick”, Kurti ka thënë se “deklaratat kundër racizmit janë të drejta dhe të rëndësishme”.
“Dhe nëse dikush e nderon identitetin e Adem Jasharit, kjo po ashtu është mirë për mua”, ka thënë Kurti.
Ai ka falënderuar Xhakën dhe Xherdan Shaqirin për frymëzim të talenteve të reja për të luajtur futboll.
Ndeshja mes Zvicrës dhe Serbisë ishte përcjellë me shumë tension, teksa gol kishte realizuar Xherdan Shaqiri, kurse Xhaka ishte shpallur më i miri i ndeshjes.