Kurti i thotë “PO” për takim pesë emisarëve të fuqishëm të BE-së

Kurti i thotë “PO” për takim pesë emisarëve të fuqishëm të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së pesë emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian.

Kështu konfirmuan nga zyra e kryeministrit duke thënë po ashtu se “takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me pesë emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7”.

Sipas tyre, Kurti ka shprehur dakordimin që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali.

“Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, kanë thënë nga zyra e kryeministrit.

Po ashtu nga Qeveria thanë se agjenda dhe detajet e takimit në Bruksel nuk i janë bërë të ditura Kurtit.

“Megjithatë ai shprehet i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtësore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithë përfshirjes”, thanë nga zyra e kryeministrit për Telegrafin.

Ndryshe, për herë të parë pas 42 ditësh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të jenë sërish në kryeqendrën evropiane me ftesë të Bashkimit Evropian.

Dy udhëheqësit pritet të takojnë veç e veç edhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Related Articles