Kurti: Jam i gatshëm t’i takojë ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Kurti: Jam i gatshëm t’i takojë ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këto ditë ka qëndruar për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe ka deklaruar se është i gatshëm të shkoj në Hagë për t’i takuar ish-krerët e UÇK-së, të cilët vazhdojnë të mbahen në paraburgim si të akuzuar për krime lufte.

Në një video amatore të publikuar nga portali Nacionale, Kurti dëgjohet duke thënë se “tash e ka marrë për barrë Ministria e Drejtësisë aspektin e vizitave, por nëse e konsiderojmë bashkërisht, mund të shkojmë, absolutisht, nuk ka kurrfarë problemi për këtë”.

Kurti tutje ka theksuar “kjo është brengë e imja, jo veç si aktivist politik i moçëm e qytetar republike, por para së gjithash si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

Kryeministri i Kosovës tutje ka treguar se tashmë është takuar me avoaktët që janë duke mbrojtur luftbtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, ku ka deklaruar se “jam i interesuar të kuptojë më shumë se çka po ndodh, edhe të ketë një mbikëqyrje dhe llogaridhënie më të madhe të Gjykatës Speciale, e cila nuk e ka pasur për karakteristikë të theksuar transparencën”.

“Dhe gjithashtu të marrë vesh se kur konsiderojnë këta avokatë që në procesin gjyqësor atje po dëmtohet shteti i Kosovës dhe historia e jonë”, potencoi Kurti para bashkatdhetarëve në Dallas.

Kreu i ekzekutivit kosovar shtoi se duhet të mbrohet lufta e UÇK-së, “dhe vetëm duke e mbrojtur luftën e UÇK-së në mënyrë të suksesshme, atëherë mund të mbrohet secili”.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati thënë se nuk ka pasur vullnet për t’u takuar nga ana e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, pasi këta të fundit refuzuan ta takojnë Haxhiun e cila ishte për vizitë më 31 mars në Hagë.

Ministrja Haxhiu ka të kaluar me plotë përplasje si me Thacin ashtu edhe me Veselin.

Madje, me ish-kryeparlamentarin kishte pasur një përlasje tejet të ashpër.

Ajo, në momente eskalimi, në një nga seancat sa Vetëvendosje ishte akoma në opozitë, e kishte quajtur Veselin “kriminel”.
Ishte edhe tashmë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që shumë shpesh kishte akuzuar Thaçin e Veselin.

Madje, Kurti kishte dalë një herë edhe me një shkrim të gjatë, të titulluar “shko Hashim”, ku argumentonte se si Thaçi duhet të pranojë të shkojë të gjykohet nga Gjykata Speciale.

Gjithashtu, Kurti kishte kërkuar nga Thaçi që menjëherë të jap dorëheqje kur ishte zbuluar aktakuza e tij nga prokuroria në Hagë.
Ndryshe më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit Special ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në njoftim thuhet se aktakuza e re kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, pritet të rëndohet me akuza të reja që i referohet krimeve që pretendohet të jenë kryera në fshatrat e Suharekës dhe në Gjilan.

Më 26 tetor të vitit 2020 në Gjykatën Speciale në Hagë ishte konfirmuar aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Kujtojmë se akuza ndaj tyre në kohë shtrihet midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Related Articles