Drejtoresha për komunikim në Zyrën e Kryeministrit, Valbona Mehmeti, e ka konfirmuar për Gazetën Enigma se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk do të takohen në Bruksel.
Mehmeti tha se Kurti në javën e ardhshme do të ketë vizitë zyrtare në Bruksel me përfaqësuesit e institucioneve të BE-së, por jo edhe me Vuçiqin.
“Kryeministri Albin Kurti do të ketë një vizitë zyrtare në Bruksel kah mesi i javës së ardhshme ku do të takohet me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian. Nuk do të ketë takim mes kryeministrit Kurti dhe zotit Vuçiq”, ka thënë drejtoresha për komunikim në Zyrën e Kryeministrit, Valbona Mehmeti.
Ndryshe, në vazhdën e takimeve të Kurtit në Bruksel, pritet që temat kryesore të jenë dialogu me Serbinë, përballja me pandeminë në Kosovë dhe ndihma që në këtë drejtim ofron BE-ja si dhe procesi i reformave. Mirëpo, Kurti gjatë fushatës parazgjedhore ka thënë disa herë që nuk janë prioritet i tij bisedimet me Serbinë.