Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë tryezës me të rinjtë e komunitetit rom ka thënë që përmes platformës së krijuar për praktikë me pagesë, synohet që 15 për qind e praktikantëve të jenë nga komunitetet jo shumicë.
Kurti tha se rritje të punësimit nga komunitetet jo shumicë që jetojnë në Kosovë ka pasur edhe në fushën e sigurisë.
“Unë gëzohem që një ushtar rom, bashkë me 11 të tjerë prej komuniteteve jo shumicë, javën e ardhshme do të betohen si ushtarë të FSK-së”.
“Për përfshirje sa më të gjerë në agjencitë e sigurisë publike, muajin e kaluar është organizuar dita e hapur në akademi në Vushtrri, vetëm për komunitetet”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Kurti foli edhe për dukurinë e martesës së hershme, që sipas tij, është e pranishme në disa rajone të Kosovës, ku si përgjigje ndaj kësaj tha se është themeluar grupi punues ndërinstitucional për parandalimin dhe raportimin e martesave të hershme.
“Urojmë që vitin e ardhshëm bashkë të sjellim ndryshim të vërtetë në mbrojtjen e vajzave të komunitetit”, tha Kurti.