Kurti kërkon marrëveshje për Presidentin: Zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje

Kurti kërkon marrëveshje për Presidentin: Zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje

Pas një periudhe 10-mujore bllokade gjatë vitit 2025, procesi politik në Kosovë mbetet i tensionuar edhe pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Në një adresim publik drejtuar qytetarëve, kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje për respektimin e rezultatit zgjedhor dhe shmangien e zgjedhjeve të reja, duke theksuar nevojën urgjente për stabilitet institucional.

Sipas tij, Legjislatura e 10-të tashmë ka konstituuar kryesinë e Kuvendit dhe Qeverinë, ndërsa hapi i radhës mbetet zgjedhja e Presidentit. Ai ka paralajmëruar se organizimi i zgjedhjeve të reja do t’i kushtonte buxhetit të Kosovës të paktën 10 milionë euro, përveç humbjeve të mundshme financiare nga partnerët ndërkombëtarë si pasojë e mosfunksionimit të institucioneve.

Kryeministri theksoi se problemi kyç mbetet sigurimi i kuorumit prej 80 deputetësh për zgjedhjen e Presidentit, duke argumentuar se zgjedhjet e reja nuk do të sillnin zgjidhje thelbësore, pasi rezultatet mund të mbesin të ngjashme me ato aktuale.

Në këtë kontekst, ai rikujtoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! (LVV) ka dalë fituese e zgjedhjeve me mbi 51% të votave dhe 57 deputetë, ndërsa koalicioni qeverisës arrin në 66 deputetë. Ai kërkoi që ky rezultat të reflektohet në proceset vendimmarrëse dhe në ndërtimin e institucioneve.

Kurti bëri të ditur se ka zhvilluar një sërë përpjekjesh për arritjen e një kompromisi me partitë opozitare. Ai konfirmoi se i ka ofruar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) një marrëveshje bashkëqeverisëse, përfshirë postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri, ofertë që u refuzua. Po ashtu, një propozim për ristrukturim të posteve në Kuvend, ku LDK do të merrte drejtimin e tij, nuk u pranua.

Një ofertë e ngjashme i është bërë edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke përfshirë mundësinë që drejtimi i Kuvendit t’i kalojë kësaj partie përmes një rrokade me kryetaren aktuale Albulena Haxhiu. Sipas Kurtit, edhe kjo ofertë është refuzuar.

Sa i përket procesit të zgjedhjes së Presidentit, ai theksoi se janë propozuar kandidatura nga ana e shumicës, përfshirë Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ndërkohë që është shprehur gatishmëri edhe për një kandidat konsensual. Megjithatë, sipas tij, opozita nuk ka paraqitur asnjë emër alternativ.

Në fund, kryeministri ritheksoi se vendi ka nevojë për funksionim normal të institucioneve dhe stabilitet politik, duke kërkuar nga partitë opozitare që të marrin përgjegjësi dhe të kontribuojnë në zgjidhjen e ngërçit institucional, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e përsëritura dhe kostot e tyre për vendin.

Related Articles