Kurti kërkon të hiqen barrikadat, tregon se kur mund të arrihet marrëveshja me Serbinë

Kurti kërkon të hiqen barrikadat, tregon se kur mund të arrihet marrëveshja me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për mediumin A2-CNN, theksoi se barrikadat në veri duhet të hiqen dhe se ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla është në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in dhe EULEX-in.

Këto barrikada sipas Kurtit, nuk janë vendosur nga qytetarët civilë të veriut, por nga grupe kriminale të armatosura.

“Barrikadat në veri nuk janë shprehje fuqie, por pafuqie. Ato barrikada duhet të hiqen. Ne i kemi dhënë disa kohë KFOR-it që t’i heqë. Ministri i Brendshëm është në kontakt të vazhdueshëm edhe me KFOR-in dhe me EULEX-in që të hiqen këto barrikada që nuk janë civile, por janë të grupeve kriminale të armatosura, krerët e të cilëve kanë fletë-arreste nga Republika e Kosovës dhe ndodhen në listën e zezë të Thesarit amerikan. Sa më parë që të hiqen, do të jetë më mirë për Kosovën, por edhe për qytetarët serbë”, tha Kurti.

Sipas tij, një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet brenda pak muajsh.

“Me mirëbesim në njërën anë dhe qëllim të mirë nga ana tjetër, pak muaj nevojiten për një marrëveshje. Besoj se nuk duhen vite, por pak muaj. Duhet një përfshirje sa më e madhe e Brukselit dhe Uashingtonit, në veçanti karshi Beogradit, që fatkeqësisht nuk po distancohet as nga Millosheviçi dhe as nga Putini”, deklaroi Kurti.

Related Articles