Kurti: Kryetarët s’i shkuan Hovenierit në takim sepse u organizua në orar pune

Kurti: Kryetarët s’i shkuan Hovenierit në takim sepse u organizua në orar pune

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se dy kryetarët e komunave në veri, e që vijnë nga radhët e partisë së tij, nuk i kanë shkuar në takim ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier ditë më parë, “sepse takimi u organizua në kohën e orarit të punës”.

Për faktin se dy kryetarët tjerë, nga radhët e PDK-së i shkuan dhe nuk iu bindën qëndrimeve të Qeverisë, Kurti ka thënë se aty nuk janë përfaqësuar partitë.

“Nuk bën të kemi parti më të rëndësishme sesa shteti për asnjë anëtar partie apo qytetarë të Republikës. Vendi i punës së kryetarit është në ndërtesë të Komunës. Atyre është duke iu ecë rroga, ata janë në marrëdhënie pune, unë e di që dalja ka qenë e ulët, legjitimiteti nuk është çfarë do të duhej, mirëpo deri sa të mbahen zgjedhjet e reja i kemi katër kryetarë çfarë i kemi. Dy janë të LVV-së, dy të PDK-së, por këta nuk përfaqësojnë partitë e tyre aty. Këta janë kryetarët të komunës të cilët duhet të punojnë për të gjithë qytetarët pa dallim. Instruksioni që kam dhënë është që të shkojnë jo vetëm të punojnë në ndërtesë, por kabinetet e tyre qeveritare, lokale, të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-fetare dhe multi-partiake. Pra, partitë të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Asnjëri prej tyre nuk e përfaqëson as Vetëvendosjen, as Partinë Demokratike, por duhet t’ju shërbejnë edhe serbëve. E unë do të thosha, në veçanti serbëve, sepse janë megjithatë shumicë në ato komuna”, ka thënë Kurti.

I pyetur se përse s’shkuan dy kryetarët nga VV-ja, Kurti ka thënë se “ata janë ftuar në një takim që ka qenë në orar të punës”.

Kurti ka arsyetuar mospjesëmarrjen me situatën e tensionuar.

“Ata kanë shkuar në orarin e tyre të punës dhe kjo nuk do të thotë që nuk do të mund ta takojnë sërish ambasadorin amerikan Hovenier me të cilin kemi bashkëpunim tejet të mirë, dhe atë evropian Szczunyog. Mirëpo, ai ka qenë orari i punës dhe në ato momente është vlerësuar që është e rëndësishme të jenë aty. Unë shpresoj që këta ambasadorët së shpejti do t’i vizitojnë edhe atje në ato zyra. Pra është njohur procesi zgjedhor, është njohur rezultati, ne nuk mund të krijojmë struktura paralele të Kosovës në raport me strukturat paralele të Serbisë. Andaj, në ato objekte do të duhej që ambasadorët po ashtu t’i vizitojnë, siç vizitojnë komunat e tjera. Por, natyrisht, nëse ftohen kryetarët tanë nga ambasadorët, edhe këta duhet të shkojnë tek ata. Por, ajo ka qenë një ditë e veçantë, ku prej Leposaviqit të shkohet në Prishtinë me gjithë ato turma rrotull, unë besoj që e ka marrë vendimin e duhur që të qëndrojë në zyrë atë ditë kryetari Lulzim Hetemi. Dhe në këtë mënyrë, kur po sulmohej KFOR-i, NATO-ja, kur po sulmoheshin gazetarët, kur po sulmohej Policia e Kosovës, unë besoj që është dashur të jetë aty, e jo në Prishtinë”, ka deklaruar ai.

Related Articles