Kurti kujton veprimtarët Hajrizi, Berisha e Kelmendi në 25-vjetorin e vrasjes së tyre nga forcat serbe

Kurti kujton veprimtarët Hajrizi, Berisha e Kelmendi në 25-vjetorin e vrasjes së tyre nga forcat serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar veprimtarëat Agim Hajrizin, Latif Berishën e Bajram Kelmendin në 25-vjetorin e vrasjes së tyre nga forcat serbe.

Kryesindikalisti Agim Hajrizi dhe politikani Latif Berisha u vranë në Mitrovicë, ndërsa në Prishtinë u vra avokati Bajram Kelmendi.

Hajrizi ishte vrarë në shtëpi së bashku me nënën e tij Nazmijen dhe të birin 11-vjeçar Ilirin më 24 mars të vitit 1999, në ditën kur nisën bombardimet e NATO-s ndaj caqeve të forcave serbe.

Po të njëjtën ditë u vra Latif Berisha në prag të shtëpisë së tij, ndërsa Bajram Kelmendi u kidnapua së bashku me dy djemtë, Kastriotin e Kushtrimin, nga policët serbë dhe u gjetën të vrarë më 26 mars.

“Teksa aeroplanët e NATO-s nga qielli filluan bombardonin e caqeve të forcave serbe, si përgjigje ndaj krimeve të Serbisë së Millosheviqit në Kosovë, kriminelët serb vranë tre veprimtarë të njohur shqiptarë. Në Mitrovicë vranë kryesindikalistin Agim Hajrizi dhe politikanin Latif Berisha, e në Prishtinë vranë avokatin Bajram Kelmendi. Agim Hajrizi, sindikalisti i paepur, Kryetari i Kuvendit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kryetar i organizimit komunal në Mitrovicë në vitet e ’90-ta, u vra në shtëpinë e tij, bashkë me nënën Nazmije dhe të birin 11 vjeçar, Ilirin. Latif Berisha, politikan e intelektual, kryetar i LDK-së në Mitrovicë, profesor universitar i historisë së letërsisë shqipe e autor i shumë studimeve, udhëheqës i pajtimit të gjaqeve, u vra nga forcat serbe në prag të shtëpisë së tij në Mitrovicë, në natën e 24 marsit”, tha i pari i Qeverisë.

Tutje ai shtoi se “Bajram Kelmendi, juristi i shquar dhe avokat aktiv në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, u rrëmbye nga shtëpia bashkë me dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin, nga policët serbë që i hynë dhunshëm në shtëpi në natën e 24 marsit 1999. Më 26 mars, ata u gjetën të vrarë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Related Articles