Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se janë dy zgjidhje në situatën politikë në të cilën gjendet Kosova – ose të konstituuohet Kuvendi, ose të shkohet në zgjedhje të reja.
Kurti tha se Kosova ka Qeveri në detyrë, ka kryeministër në detyrë – “i cili veç pse është në detyrë, nuk është se punon më pak sesa më herët, por ka kompetenca më pak”.
“Institucionet e shtetit funksionojnë – kurrë Kosova nuk ka qenë më e fuqishme, më e sigurt e më përparimtare. Sot, ajo çka po i mungon Kosovës, është Kuvendi”, tha Kurti para mediave në Gjilan.
Tutje Kurti tha se deputetët e partive ish-opozitare do duhej të ishin ata që votojnë të parët pro konsittuimit, pasi “është shtëpia e tyre e vetme nga ku mund ta mbikqëqyrin punën e Qeverisë”.
“Dhe është interesant, sepse Kuvendi është shtëpia e deputetëve, e sidomos e deputetëve opozitarë. Sepse deputetët opozitarë, përveç Kuvendit, nuk kanë gjë tjetër. Si është e mundur që deputetët opozitarë, e privojnë vetën, nga shtëpia e tyre, prej së cilës do ta mbikëqyrnin Qeverinë. Unë këtë nuk e kuptoj. Nuk është as e logjikshme as racionale. Por unë nuk jam deputet opozitar. Kur ne kemi qenë deputetë opozitarë, shumë e kemi dashtë Kuvendin”, u shpreh Kurti.
“Ata nuk po e lënë Kosovën pa Qeveri. Ata po e lënë Kosovën pa shtëpinë e tyre. Krejt ky vit shkoi pa Kuvend. Kjo është krejt në dëm të deputetëve opozitarë. Jo në dëm të Qeverisë. Unë kisha dashur që të kemi Kuvend që të na mbikqyrë, por Kuvendin nuk mund ta bëjëmë ne vetë – duhet ta bëjmë bashkë me opozitën. Sa më herët – aq më mirë. Pikërisht Kuvendi do mund ta bllokonte Qeverinë. Ne nuk kemi zgjidhje tjetër, përveç se ose të merremi vesh që në një paketë ta votojmë kryetarin dhe tre nënkryetarët – ose po shkojmë në zgjedhje të reja. Nuk ka mundësi tjetër në këtë situatë”. /Gazeta Enigma