Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kabinetin qeveritar dhe familjarë të dëshmorëve, në 27-vjetorin e rënies së Ilir Konushevcit dhe Hazir Malajt, kanë bërë homazhe pranë varreve të tyre, raporton Gazeta “Enigma”.
Gjatë ceremonisë, Kurti theksoi rolin vendimtar të Konushevcit në logjistikën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar si një figurë të pazëvendësueshme në furnizimin me armatim në kohë të vështira për rezistencën shqiptare.
“Jemi këtu tek varret e dëshmorëve tanë që para 27 vjetësh ranë heroikisht, duke sjellë armatim për UÇK-në. Ilir Konushevci-Mërgimi ishte pasardhës i denjë i Zahir Pajazitit dhe ishte shpirti i UÇK-së, meqenëse ishte në krye të logjistikës dhe furnizimit në një kohë të vështirë, ku UÇK-ja po përballej me një ushtri që ishte shumëfish më e pajisur me armatim dhe municion, por me vullnetin e çeliktë të luftëtarëve si puna e Ilir Konushevcit dhe ajo që ishte e paimagjinueshme bëhej e mundur. UÇK-ja jo vetëm që merrte pjesë në beteja, por ngadhënjente aty”, tha Kurti.
Ai rikujtoi se veprimtaria e Konushevcit kishte nisur më 13 maj 1992 dhe vazhdoi pandërprerë deri në rënien e tij heroike.
“Ilir Konushevci e ka nisur veprimtarinë e tij saktësisht më 13 maj 1992, atëherë kur u formua organizata e fshehtë politike “Shqiponja” dhe prej asaj dite nuk u nda asnjëherë në organizimin e shtimit të radhëve te ushtarëve të UÇK-së. Kur i kujtojmë dëshmorët e kombit, heronjtë e parë që kanë punuar në vitet ‘90 duhet ta kujtojmë që kishim luftëtarë edhe para luftës çlirimtare. Pa njerëz si Iliri nuk mund ta kishim luftën çlirimtare. Andaj homazhet tona tek dëshmorët shprehim mirënjohjen e thellë”, ka deklaruar ai. /Gazeta Enigma/