Sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në Pallatin Federal në Bernë nga presidenti i Federatës së Zvicrës, Alain Berset. Pas takimit, ai ka mbajtur një konferencë për media, me ç`rast ka folur për përmbajtjen e takimit, raporton albinfo.ch nga Berna.
“Me presidentin Berset njihemi që nga pjesëmarrja ime në Forumin e Davosit, në fillim të vitit. Me të kemi biseduar për marrëdhëniet e shkëlqyeshme në mes të dy vendeve, për rritjen e madhe të këmbimit tregtar, që në vitin 2022 ka qenë për një të tretën më i madh se një vit më parë.
Pastaj është nënvizuar edhe fakti se remitencat nga bashkatdhetarët tanë në Zvicër përbëjnë një të pestën e të gjitha remitencave që vijnë në Kosovë. Po ashtu, në bashkëbidesim me presidentin Berset është theksuar shkalla e lartë e integrimit të qytetarëve nga Kosova në Zvicër etj.
Kryeministri Kurti, i pyetur ga albinfo.ch ka folur edhe për agjendën e mëtejshme të vizitës së tij në Zvicër. “Tani do të kemi një vizitë në Muzeun e Einsteinit, këtu në Bernë, ndërsa sonte në mbrëmje do të takoj kandidatët me rrënjë shqiptare për zgjedhjet federale që mbahen më 22 tetor. Ne inkurajojmë komunitetin e këtushëm shqiptar që të marrë pjesë në mënyrë masive në këto zgjedhje, pavarësisht nga partia që do të votojnë.
Kryeministri Kurti ka folur edhe për aktualitetin politik në Kosovë, shkruan albinfo.ch. “Ne jemi në të drejtën tonë. Në fjalën që kam mbajtur më 14 shtator para mediave në Prishtinë kam sqaruar se në dialogun e fundit ne si Kosovë kemi bërë tri propozime, ndërsa Serbia asnjë. Në këto rrethana, ne duhet t`i përmbahemi kornizës së marrëveshjeve që kemi marrë si obligim dhe jo të marrim detyrime të reja.