Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti ministren e Punëve të Jashtme të Japonisë, Yoko Kamikawa, e cila po viziton për herë të parë shtetin tonë, vizitë kjo që po zhvillohet në 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Republikës së Kosovës dhe Japonisë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka pritur në takim ministren e Punëve të Jashtme të Japonisë, Yoko Kamikawa, me të cilën folën për mënyrat se si mund të thellohen dhe forcohen marrëdhëniet mes të dyja vendeve.
Kamikawa tha se është e nderuar që është ministrja e parë e Punëve të Jashtme e Japonisë që po e viziton Kosovën, teksa i shprehu falënderime Kurtit për vizitën dhe pjesëmarrjen e tij në funeralin shtetëror në nderim të ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe.
“Ministrja Kamikawa theksoi se paqja dhe stabiliteti janë vendimtare për Evropën dhe se vizita e saj në rajon, fillimisht në Serbi, pastaj në Bosnje dhe Hercegovinë dhe tash në Kosovë është në këtë funksion”.
“Gjatë takimit bilateral ndërmjet dy delegacioneve, u diskutua rreth marrëdhënieve dypalëshe, projekteve të bashkëpunimit dhe asistimit dhe mundësive për investime të kompanive japoneze, veçanërisht në sektorin e energjisë së ripërtrishme dhe në infrastrukturën hekurudhore”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Më tej, bëhet e ditur se Kurti e Kamikawa folën edhe për çështje rajonale, përfshirë raportet me Serbinë dhe dialogun, ku Kurti tha pavarësisht se është arritur Marrëveshja Bazike, ajo që nga fillimi e në vazhdimësi është shkelur nga Serbia.
“Kryeministri Kurti dhe ministrja Kamikawa, gjithashtu diskutuan rreth çështjeve rajonale, përfshirë raportet me Serbinë dhe procesin e dialogut, në kuadër të së cilit kryeministri Kurti tha se është arritur Marrëveshja Bazike, por e cila nga fillimi dhe në vazhdimësi është shkelur në mënyrë të hapur nga Serbia. Gjithashtu, biseduan mbi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në garantimin e paqes dhe sigurisë, dhe në shërbim të zhvillimit dhe progresit të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.