Kurti nga Prekazi: Veprën e familjes Jashari do ta shndërrojë në përjetësi botërore

Kurti nga Prekazi: Veprën e familjes Jashari do ta shndërrojë në përjetësi botërore

Këtë të hënë është shpalosur koncepti fitues në konkursin ndërkombëtar për masterplanin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Për këtë, Kurti tha se është një nga proceset më të rëndësishme dhe më delikate të Kosovës, pasi sipas tij, në Kompleksin Memorial, ku ruhen gjurmët e veprës heroike të familjes Jashari, të gjithë kthehen ta kujtojnë çmimin dhe rrënjët e lirisë.

“Prekazin historik e vizitojmë për të mësuar dhe evokuar me krenari, historinë e familjes Jashari, e cila mund të përmblidhet në një simbolikë të thjeshtë patriotike, atë të deklaratës së Shaban Jasharit në janar të vitit 1998, po citoj: Unë kam vetëm një shtëpi dhe nuk kam ku të shkojë prej saj. Shtëpia në traditën tonë nuk nënkupton vetëm ndërtesën por bashkësinë e lidhur nëpërmjet farefisnisë dhe në një kuptim më të gjerë, shtëpia ka domethënien e vatrës apo atdheut”.

Më tej, Kurti tha se përmes vlerësimit profesional dhe ndërhyrjeve emergjente në Kompleks, gjendja e sigurisë së ndërtesave të rrezikuara brenda Kompleksit është përmirësuar, teksa shtoi se masterplani për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” do të zë një hapësirë prej 450 hektarësh në fshatin Prekaz.

“Me kujdes e durim, i kemi përcjellur të gjithë hapat deri tani, dhe pas nënshkrimit të kontratës për hartim të masterplanit do të vazhdojmë me veprime përkatëse për realizimin e planeve dhe projekteve përbërëse të masterplanit. Kemi ndarë burime financiare dhe kemi angazhuar ekip të profesionistëve në mënyrë që të sigurohemi që hartimi i masterplanit të zhvillohet me efikasitet brenda dinamikës së paraparë brenda afatit kohor”, tha Kurti.

Jemi shumë të lumtur që ky masterplan do të hartohet nga një ekip ndërkombëtar me përvojë shumëdekadëshe.

Tutje, kreu i qeverisë tha se ka bindjen që ky masterplan do të ofrojë një interpretim dinjitoz e gjithëpërfshirës për rrëfimin e historisë së familjes Jashari, rrëfim që sipas tij, do t’i tejkalojë barrierat kohore të brezit tonë dhe ato hapësinore të vendit tonë, teksa shtoi se kujtimin për veprën heroike të familjes Jashari do ta shndërrojë në përjetësi botërisht.

Related Articles