Kurti nis vizitën në Londër, flet për “kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia” dhe tri parakushtet për vazhdim të dialogut

Kurti nis vizitën në Londër, flet për “kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia” dhe tri parakushtet për vazhdim të dialogut

Kryeministri Albin Kurti ka nisur vizitën e tij zyrtare në Londër, ku është pritur në takim nga Sekretarja për Punë të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.

Kurti ka thënë se Kosova është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë nëpërmjet një marrëveshjeje ligjërisht obliguese të bazuar në njohje të ndërsjellë, teksa i ka përmendur asaj tri parakushtet për vazhdimin e dialogut, si dorëzimi i Milan Radojçiqit, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Në njoftimin e lëshuar nga ZKM thuhet se Kurti e ka informuar Sekretaren Cooper “për kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, me mbështetjen e Rusisë, përfshirë operimin me 48 bazat ushtarake të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën”.

Sipas Kurtit, anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian, janë thelbësore për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë.

Ata kanë folur edhe për investimet në fushën e mbrojtjes, ushtrimet e përbashkëta dhe bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar për të ofruar trajnime dhe mbështetje për Ukrainën.

Kurti ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar është partner kyç strategjik i Kosovës.

“Kosova është partnere e besueshme për Mbretërinë e Bashkuar dhe për sigurinë e rajonit”, thuhet në njoftim.

Related Articles