Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova nuk i ka 60 mijë veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aq sa janë të regjistruar nëpër evidenca. Sipas tij më së shumti janë 20 mijë persona që i përkasin kësaj kategorie.
Kurti ka thënë se duhet të gjenden mënyrat që të mënjanohen “deformimet” në këto evidenca.
“Veteranët e luftës meritojnë më shumë sesa paga minimale. Por edhe duhet t’i bëjmë evidencat e sakta, nuk janë 60 mijë veteranë. Nëse dikush dëshiron ta gënjejë vetveten, s’mund të më gënjejë mua. Maksimalisht janë 20 mijë. Duhet t’i gjejmë mënyrat sesi t’i largojmë këto deformime”, ka thënë ai në KTV.
Sipas tij, veteranët e meritojnë shpërblimin për kontributin, por jo pagën minimale, pasi ajo merret prej punës që bën dhe nuk është dekoratë.
Kështu është deklaruar Kurti derisa ka folur për Ligjin për Pagat, për të cilin ka thënë se do të kalojë, mirëpo janë duke punuar për një Ligj që nuk e rrëzon Gjykata Kushtetuese.
“Do ta kalojmë edhe Ligjin për Pagat. Na duhet ta shtrojmë një ligj që zbatohet dhe nuk rrëzohet nga Kushtetuesja. Parimi kryesor i ynë është kompensim të barabartë për punë të barabartë. Nuk mund të them që është çështje javësh apo ditësh, por nuk është çështje muajsh kur do të rrumbullakohet Ligji i Pagave”, ka thënë ai.