Kurti paralajmëron takim me KFOR-in për barrikadat në veri: S’mund të tolerohen pafundësisht
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar një takim me komandantin e KFOR-it për të sqaruar se si do të veprohet me barrikadat në veri, tash kur janë bërë dy javë që kur rrugët në drejtim të pikave kufitare me Serbinë, në Bërnjak e Jarinjë, janë të bllokuara.
Në një konferencë për media të shtunën, Kurti ka thënë se “barrikadat s’mund të tolerohen pafundësisht”. Ai ka thënë se pas Krishtlindjeve do të takohet me komandantin e KFOR-it për të vendosur.
Serbët lokalë kanë bllokuar rrugët duke thënë se veprimin e kanë bërë si protestë ndaj arrestimit të ish-policit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, si të dyshuar për sulm ndaj Policisë së Kosovës dhe Komisionit Qendror Zgjedhor.
“KFOR-i ka kërkuar pak kohë nga ne. Ne i kemi dhënë pak kohë, por jemi dëshmitarë që sot janë bërë dy javë, qëkur janë vendosur 11 barrikada në veri të lumit Ibër dhe po pengojnë lirinë e lëvizjes. KFOR-i gjithmonë është zotuar për ambient të qetë e të sigurt me vlerë kryesore lirinë e lëvizjes. Ka qenë vlera kryesore të cilën e ka afirmuar KFOR-i në këto 23 vjet e më shumë të pasluftës në Kosovë. Edhe ne i kemi dhënë kohë KFOR-it pikërisht për shkak se liria e lëvizjes është konsideruar vlera themelore në Kosovë nga pikëpamja e KFOR-it. E tash lirinë e lëvizjes nuk e kemi sepse janë 11 barrikada, që siç e dini, s’janë civile, si të protestuesve francezë më 1968 në Paris, por janë të uniformuar, të armatosur e të pozicionuara asisoj që më shumë kanë të bëjnë për ta mbrojtur personin e uniformuar e armatosur që të shtinë mbi veturat që vijnë sesa të mos lejojnë tejkalimin e automjeteve në anën tjetër të barrikadës. Me fjalë të tjera s’janë barrikada civile. KFOR-i ka kërkuar kohë ne e kemi dhënë atë kohë, por meqë sonte është Krishtlindja ne duhet ta kemi shumë shpejt, pas Krishtlindjeve, një takim me komandantin e KFOR-it e në të cilin besoj se do të sqarojmë gjithçka. Por kjo s’mund të tolerohet pafundësisht. U bënë dy javë e s’mund të lejojmë që edhe javë e javë të kalojnë e të mos kemi lirinë e lëvizjes. Nga ai takim që e presim menjëherë pas Krishtlindjeve besoj se do të sqarohet gjithçka e do të japim përgjigje”, ka thënë Kurti.
KFOR-i të premten në një deklaratë për media kërkoi që kjo çështje të zgjidhet nëpërmjet dialogut.