Prishtina është shndërruar këtë javë në epiqendrën e sporteve elektronike në Evropë, duke pritur Kampionatin Evropian të Esports në Counter-Strike dhe Dota 2.
Me pjesëmarrjen e 35 ekipeve nga 24 shtete të kontinentit, gara po zhvillohet në një atmosferë të jashtëzakonshme, ku sporti, teknologjia dhe rinia janë në qendër të vëmendjes.
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas nisjes së turneut, duke vlerësuar rolin e Kosovës si nikoqire dhe duke uruar për sukses ekipin kombëtar, që e nisi kampionatin me një fitore bindëse ndaj Republikës së Çekisë në lojën Counter-Strike 2.
“Në Counter-Strike dhe Dota 2, e gjithë Evropa është në Kosovë. Këtë javë, Prishtina është qendra e Evropës në sportet elektronike, ku 35 ekipe nga 24 shtete garojnë për trofetë e Kampionatit Evropian të Esports. Aty ku sporti dhe teknologjia takohen, padyshim që rinia jonë shkëlqen”.
“Kosova e nisi me fitore kundër Republikës së Çekisë, një debutim i fuqishëm që na jep besim dhe krenari. Suksese tutje djemve tanë, jemi me ju!”, ka shkruar Kurti në rrjetet sociale.