Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 25-vjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë dhe Malit të Zi.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Kurti e ka quajtur ndërhyrjen e NATO-s si nga më të suksesshmet në histori, e cila sipas tij ndaloi tmerret e papërshkrueshme të gjenocidit.
Ai tha se Kosova është gjithmonë mirënjohës ndaj liderëve botërorë dhe vendeve të përfshira, të cilat përdorën politikën për të mbrojtur njerëzimin.
25 years ago, @NATO began its aerial bombing campaign, one of the most successful humanitarian interventions in history, which stopped the unspeakable horrors of genocide. We are always grateful to the world leaders & the countries involved, who used politics to protect humanity. pic.twitter.com/WThJRbdCzK— Albin Kurti (@albinkurti) March 24, 2024
Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.
Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.
“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë presidenti Clinton.