Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sot se do të ishte shpërqëndruese të merren me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, e t’i jepen masa ndëshkuese siç kërkohej për veprimet e tij.
Kjo meqë sipas Kurtit, Rakiq, nuk është thelbi i problemit.
Këto deklarata kryeministri i dha sot në Televizionin Publik të Kosovës, kur u pyet për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.
”Isha sot në Brezovicë, dhe po e shoh që Dalibor Jevtiq nuk paska qenë në Shtërpcë, por në Beograd”.
”Nuk është ai [Goran Rakiq] thelbi i çështjes. Do të ishte shpërqëndruese të merremi me Goran Rakiqin. Ky që ndodhet në anën e djathtë të Vuçiqit”.
Tutje Kurti foli edhe për agresionin rus në Ukrainë, ku tha se Putin dëshiron edhe një konflikt tjetër.
”Kremlini dëshiron edhe një konflikt tjetër diku. Putin nuk do do të negociojë me Zelenskyn. Ai dëshiron ta vrasë presidentin ukrainas”.
”Është i qartë synimi, por me presidentin Biden nuk ulet dot pa e zgjeruar konfliktin. Tendencën e ka. Duke parë gjeografinë politike të kontinentit europian, në rrezik është Gjeorgjia, Moldavia e Ballkani Perëndimor. E në BP, janë tri pika, Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi”.
”Më 25 nëntor të vitit të kaluar është takimi i fundit që e ka pasur Vuçiq me Putinin. Deri atëherë ata kishin 19 takime”.