Kamberi për zgjedhjet e 3 prillit: Dorëzimi para Serbisë diskriminuese nuk është opsion

Kamberi për zgjedhjet e 3 prillit: Dorëzimi para Serbisë diskriminuese nuk është opsion

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës, për zgjedhjet serbe të 3 prillit ka deklaruar se duhet të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të veprojmë kundër kushtetutës së vendit, shkruan Gazeta Enigma.

“Ne nuk dëshirojmë t’ua pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit. Ndaj të dyjave do të sillemi me përgjegjësi”, u shpreh kryeministri Kurti.

Lidhur me këtë çështje Kurti ka theksuar se është në komunikim të vazhdueshëm me shtetet e QUINT-it.

Në zgjedhjet parlamentaret të 3 prillit në Serbi partitë politike të shqiptarëve në Luginë të Preshevës nuk do të hyjnë me listë të përbashkët

Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, në një përgjigje për Gazetën Enigma ka folur për zgjedhjet parlamentare në Serbi dhe unitetin e shqiptarëve në këtë proces.

“Mbetet në vlerësimin dhe marrjen e vendimit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë. Besoj se qeveria do ta marrë vendimin përfundimtare pas konsultimeve me miqtë ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Tutje Kamberi ka theksuar se e gjithë kjo nuk është e lehtë, por dorëzimi para Serbisë diskriminuese nuk është opsion.

“Ne po garojmë në këto zgjedhje për të arritur sërish tre mandate dhe për të vazhduar luftën politike edhe në parlamentin serb për më shumë të drejta. Nuk është punë e lehtë për këtë jemi të vetëdijshëm por dorëzimi para Serbisë diskriminuese nuk është opsion”, ka theksuar Kamberi.

Sipas Kamberit pjesëmarrja e dy listave në këto zgjedhje do ta bëjë garën më të vështirë.

“Fatkeqësisht, kësaj here nuk kemi një por dy lista shqiptare që garën e bën më të vështirë, por ne brenda Koalicionit të shqiptarëve të Luginës, listë kjo e cila në zgjedhjet e 3 prillit do të mbaje numrin 16, do të vazhdojmë me kërkesat tona dhe do të luftojmë për sensibilizim ndërkombëtarë të çështjes së Luginës”, ka deklaruar Kamberi për Enigmën.

“Mund të ketë reagime drejt BE-së dhe tone të ashpra publike, por përtej kësaj çfarë mund të bëjë Serbia?”, ka thënë Kamberi.

Reagon BE-ja pasi Kosova refuzoi propozimin e Quint-it për mbajtjen e zgjedhjeve serbe

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një prononcim për Gazetën “Enigma”, e ka cilësuar këtë vendim si një hap mbrapa të Kosovës drejt BE-së.

“Ne e konsiderojmë këtë vendim në kundërshtim me angazhimet e Kosovës për të ardhmen e saj evropiane dhe parimin e mbrojtjes së të drejtave demokratike të të gjithë qytetarëve të saj, duke përfshirë edhe popullatën jo shumicë”, theksoi tutje ai.

Tutje Stano ka deklaruar se BE-ja ka bërë përpjekje për të gjetur një zgjidhje për pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.

“Në muajt e fundit, BE-ja është angazhuar në mënyrë aktive, duke përfshirë shtetet e QUINT-it, në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje që do t’u mundësonte votuesve me të drejtë vote në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë”, ka thënë ai.

“Më konkretisht, BE-ja ka vepruar si lehtësues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të gjejë zgjidhje praktike të pranueshme duke përdorur analogji nga praktikat e vendosura evropiane se si organizohet votimi për qytetarët me të drejtë që banojnë jashtë vendit të tyre të origjinës”.

Tutje ai ka shtuar se nuk ka marrëveshje në kuadër të Dialogut për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë.

Stano tha se për këto zgjedhje do duhej të zbatoheshin praktikat e mëhershme të Kosovës. “Nuk ka marrëveshje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, por deri më tani të dyja partitë kanë vendosur një praktikë që lejonte votimin fizik në Kosovë. Ky do të kishte qenë opsioni më i zbatueshëm edhe për zgjedhjet e 3 prillit”, shtoi tutje ai.

Zëdhënësi i BE-së bëri thirrje për të dyja palët që të përmbahen veprimet dhe gjuha tensionuese.

“BE-ja tani pret që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet dhe retorika që mund të rrisin tensionet. Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të dyja palëve që të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociatat në vazhdim në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, deklaroi ai për Enigmën.

Kujtojmë se edhe Mali i Zi ka refuzuar kërkesën e Beogradit për hapjen e tri qendrave të votimit për zgjedhjet në Serbi./Gazeta Enigma/

Related Articles