Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se deri tani janë regjistruar mbi 1,420,000 qytetarë residentë në Kosovë.
Ai me anë të një video të publikuar në rrjetin social Facebook ka bërë thirrje që kosovarët edhe në diasporë të regjistrohen sa më shumë në pasi ky proces tashmë është në javën e fundit të implementimit.
“Mbi 1,420,000 qytetarë residentë të regjistruar deri më tani, teksa kemi hyrë në javën e fundit të procesit më të rëndësishëm për 10-vjeçarin e ardhshëm”.
“Thirrja jonë për regjistrim vazhdon. Të gjithë ata që nuk janë regjistruar deri më tani, në Kosovë e në diasporë, ju ftoj t’i shfrytëzoni këto ditë të mbetura deri me 17 maj”, ka thënë Kurti.
Në videon e publikuar ai bën me dije sot ka qenë për vizitë në Komunën e Kamenicës me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, me të cilin thotë se janë të kënaqur me numrin e madh të qytetarëve që i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës për regjistrim.
“Të dhënat më të fundit na tregojnë se banorët e kësaj komune i janë përgjigjur pozitivisht dhe pahezitim thirrjes sonë për regjistrim. Kamenica është një nga shembujt më të mirë të bashkëjetesës ndëretnike në Kosovë”.
“Kjo po vërtetohet edhe me përqindjen e lartë të qytetarëve tanë të komunitetit serbe në procesin e regjistrimit të popullësisë”, ka thënë Kurti.