Kurti për Vitinë: Gojëmbël e i pakompromis në punë

Kurti për Vitinë: Gojëmbël e i pakompromis në punë

Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dalë edhe një herë në krah kandidati të kësaj partie për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia.

Kurti tha për Vitinë se ai është gojëmbël me qytetarë e i pakompromis në punë.

“Tamam si mjek i mirë që sillet me dashamirësi me pacientët dhe është i saktë me terapinë. Beni është më i urti si shok dhe më i ashpri në punë. I pathyeshëm dhe i palodhshëm. I fuqishëm pa u dukur i fortë. Prandaj ka pasur sukses në çdo angazhim të tijin publik”, ka shkruar Kurti për Vitinë në llogarinë e tij në Facebook.

Më tej, Kurti tha se Vitia reformoi qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë, që sipas tij, edhe kundërshtarët sot ia pranojnë si zotësi.

“I siguroi 1.2 milionë vaksina me çmimin më të volitshëm e me furnizim masiv. Ai i ka dalë zot qytetarëve në ditët më të vështira dhe ia ka dalë më sukses çdo situate të vështirë politike. Shumë prej tyre i kemi kaluar bashkë”, ka shkruar Kurti, përcjellë Klankosova.tv.

Tutje, i pari i VV-së tha se janë fatlumë që Vitia është pjesë e Lëvizjes dhe sipas tij, qytetarët e Prishtinës do të jenë më fat që ta kenë për kryetar.

“Përveçse dije, Beni ka shije, estetike e artistike. Krahas progresit, edhe kjo i duhet Prishtinës, një qytet i fotografueshëm dhe plot jetë”, shkroi Kurti. /Gazeta Enigma/.

Related Articles