Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij është duke u përgatitur për të vendosur reciprocitet të plotë me Serbinë.
Kurti që pati premtuar vendosjen e reciprocitetit pak ditë pasi të marrë pushtetin në shkurt sivjet, ka thënë se “s’mund të bëhen të gjitha gjërat përnjëherë”.
Ai ka njoftuar se në takimet që ka zhvilluar në Bruksel ka bërë propozimin për reciprocitet për çështjen e pakicave.
“Ne po e denoncojmë çdo shkelje të Serbisë. Po përgatitemi mirë që kur të zbatohet të mos ketë asnjë dështim. E kemi për targat, por do ta zbatojmë edhe në të tjera. Kemi bërë propozim për reciprocitet për të drejta. Në bisedimet në Bruksel kam bërë propozim me të cilin kam thënë se të drejtat e pakicave kombëtare në Kosovë e Serbi duhet të jenë në raport reciprociteti. Kjo është refuzuar. Beteja vazhdon, reciprocitetin do ta zbatojmë, mirëpo s’mund t’i bëjmë të gjitha gjërat përnjëherë”, ka thënë ai në emisionin “Desku” në KTV, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Për premtimin e shkurtit, Kurti ka thënë se “mund të marr vendime që mund të ngelin dëshira të mia, e që s’mund t’i kemi përgatitjet e duhura”.
“Besoj se do ta vendosim reciprocitetin, por paralelisht duhet të zbatojmë strategji që i bën ato të implementueshme”, ka thënë më tej ai.
Kurti ka mohuar se atij i është refuzuar viza për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka thënë se vitin e ardhshëm do të ketë vizitë dhe se për këtë po bëhen përgatitje nga stafi i tij.
Kurti: Po zhvillohemi ekonomikisht edhe pa na njohur Serbia
Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, ka thënë se edhe pa njohje të Serbisë, vendi që ai drejton po shënon përparim në zhvillim ekonomik dhe një temë e tillë është hiperbolizuar shumë në opinionin publike.
Kurti thotë se e ka mbajtur premtimin për mos ta pasur dialogun në prioritetet e tij, duke u bazuar në vëllimin e kohës që i merr çdo ditë.
“Nëse e shikoni çfarë kam bërë çdo ditë të kësaj qeverisje të dytë, si vëllim kohe nuk është dialogu me Serbinë në tri prioritetet e para, në kuptimi sa më merr koha mua, sa energji më merr, pra ashtu siç kam thënë. E kur flas në media e në forume ndërkombëtare, aty dialogu me Serbinë ka më shumë vëllim kohe, pasi detyrohem të përgjigjem. Situata pradigmatike është nga dimensioni i kohës kur pavarësia na njihet në fund, ku së pari ka koncesion”.
“Njohja e ndërsjellë është në qendër. Jemi të vetëdijshëm që marrëveshjen e ardhshme me Serbinë, njohja reciproke është në qendër. Pavarësia e Kosovës nuk varet nga njohja e Serbisë. Nuk e kam ndërmend ta lusë diku për njohjen nga Serbia. 9.9 për qind e kemi rritjen ekonomike pa na njohur Serbia. Janë rritur investimet e huaja direkte për 55 për qind. Rritja e të hyrave tatimor është bërë kur populli e di që çka paguan tatime, nuk i vidhen”, është shprehur Kryeministri.
Ai ka përmendur miratimin e disa projektligjeve.
“I kemi miratuar 106 projektligje, s’kanë lidhje me Serbinë. Kurrë më shumë vizita nga ndërkombëtarët dhe te ndërkombëtare nuk ka pasur se këtë vit, as kur është shpallur pavarësia. Është hiperbolizuar shumë kjo temë. Ne vetëm duhet të tregojmë se mundemi edhe pa Serbinë. Kjo e përmirëson imazhin tonë ndërkombëtar”, deklaroi Kurti në “Desku” KTV-së, përcjellë Gazeta “Enigma”.