Në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 58-të të Policisë së Kosovës, ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka pasur fjalë të mëdha për policët e rinj.
Kurti i uroi kadetët e rinj, të cilëve u tha se i pret një rrugë e gjatë e me plot sakrifica për vendin, por sipas tij “asnjëra nga to nuk do ta zbeh vullnetin” e tyre për t’i shërbyer vendit.
Kurti u shpreh se Policia është vijimësi e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, e cila ka sakrifikuar për lirinë e vendit.
“Që nga sot filloni një epokë të rëndësishme për veten tuaj dhe për vendin tonë, ju pret një rrugë e gjatë me sfida dhe sakrifica para vetes por asnjëra prej tyre nuk do ta zbeh vullnetin tuaj për të shërbyer. Policia është vijimësi e Ushtrisë çlirimtare, liria jonë ka ardhë pas sakrificave të brezave të tërë në përpjekje për liri e çlirim nga okupatori serb. Si pjesëtar të policisë së Kosovës, do të jeni pjesë e historisë sonë dhe përpjekjeve të përbashkëta për ta ngritur dhe forcuar republikën tonë”, ka thënë ai.
Kurti tha se Policia e Kosovës, mbetet një nga institucionet më të besueshme në vend, derisa shtoi se ajo i mbron qytetarët pa dallime.
“Policia vazhdon të jetë një nga institucionet më të besueshëm, vazhdon ta zbatoj misionin kushtetues, që të mbroj jetën e pronën e qytetarëve, që mban rendin e qetësinë publike, të parandaloj dhe zbuloj krimin të mbroj të drejtat dhe liritë e njeriut, dhe t’I mbrojë të gjithë qytetarët pa dallim religjioni, gjini a moshe”, ka thënë ai.
Kurti bëri të ditur se rreth 900 operacione janë realizuar prej kur ka ardhur në pushtet, duke u arrestuar rreth 3200 persona të dyshuar për disa vepra penale.
“Jemi zotuar për luftë ndaj korrupsionit, veçanërisht të atij që është mirëmbajtur me vite në institucionet tona. Për luftim të çdo lloj të krimit të organizuar, për ruajtjen e sovranitetit, Policia ka qenë maksimalisht në realizimin e këtyre prioriteteve të përbashkëta. Rreth 900 operacione janë realizuar në tërë territorin, janë arrestuar rreth 3200 persona, për fajde, vrasje, kanosje dhunë, ryshfet e deri te arrestimi për sulme ndaj rendit kushtetues e përfshirje në akte terroriste”, ka thënë Kurti.