Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë ka sulmuar ashpër Prokurorinë, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas Kurtit e gjithë kjo ka ndodhur pasi që në Serbi, Milan Radoiçiqi është i lirë, ndërkohë Prokurorisë “nuk i kanë mjaftuar 10 muaj, por nuk iu deshën më shumë se 10 orë për ta marrë në pyetje Albulena Haxhiun për një postim në Facebook”.
“Sot janë bërë fiks 10 muaj nga vrasja e heroit Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveqanit, në mbrojtje të ligjshmërisë së vendit dhe të integritet të Republikës. Në Kosovë ende nuk është ngritur aktakuzë ndaj Milan Radoiçiqit dhe terroristëve të tjerë të grupit të tij, nga ana e sistemit tonë të drejtësisë. Në Serbi, Radoiçiqi është i lirë. Prokurorisë sonë nuk i kanë mjaftuar 10 muaj, por nuk iu deshën më shumë se 10 orë për ta marrë në pyetje ministren tonë të Drejtësisë, Albulena Haxhiun për një postim në Facebook”, tha kryeministri. /Gazeta Enigma/