Kryeministri Albin Kurti ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për ta rrëzuar në tërësi ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke thënë se gjyqtarët zgjodhën ta vonojnë “ndjekjen e krimit” dhe ta vonojnë “reformën tonë”, raporton Gazeta Enigma.
“Kemi hartuar këtë ligj ashtu siç kemi hartuar ligjin për KPK-në, i cili në seancë të radhës do të votohet lexim të dytë, për më shumë prokurorë të pavarur nga politika dhe më efikas. Si reforma thelbësore u konsultuan me Komisionin e Venecias, ku u aprovuan të dyja këto, jo vetëm për shkak të qëllimit, por edhe pse siguronin garanci në vend të korporatizimit në KPK e dobi publike karshi pasurimit pabazë kriminal. Me gjithë këto, Kushtetuesja rrëzoi dy ligjet, duke zgjedhur kësisoj të vonojë ndjekjen e krimit, ta vonojë reformën tonë. Me pesë vota për e katër kundër, Gjykata Kushtetuese ka gjetur se Kushtetuta është shkelur me Ligjin për Byronë, duke treguar që Kushtetua ndryshe shihet nga gjysma e gjyqtarëve”, tha Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë.
Kurti gjithashtu tha se kjo Gjykatë gjen se “manipulimi në blerjen e insulinave dhe kësisoj rrezikim të shëndetit publik, nuk është faji i anëtares së OSHP-së që u shkarkua nga Kuvendi me propozim të Qeverisë sepse nuk ishte dëshmuar shkelja e etikës së punës si bazë për shkarkim”.
“E rrezikimi i shëndetit publik e tenderët milionësh për Kushtetuesen, nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe vlerat e saj”, u shpreh kryeministri.
Tutje ai kërkoi nga Ministria e Drejtësisë që menjëherë të fillojë me ndryshime dhe të procedojë me urgjencë Ligjin.
“Një vjet e katër muaj i janë dashur Kushtetueses ta sjellë vendimin për Byronë, ende të papublikuar dhe të paqartë. Shpresoj që nuk i duhen edhe katër muaj të tjerë. Kërkoj nga Ministria e Drejtësië që menjëherë të fillojë me ndryshime dhe të procedojë me urgjencë Ligjin. Drejtësia duhet të bëhet, duhet të ketë, do të ketë”, tha Kurti. /Gazeta Enigma