Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në fillim të mbledhjes së Qeverisë ka bërë një rezyme të punës së Qeverisë.
Kurti ka renditur disa nga të arrtiturat e qeverisjes gjatë periudhës 1 vit e gjysëm sa ata janë në pushtet.
“Kemi mbajtur 100 mbledhje dhe si moment është i përshtatshëm për të veçuar disa nga të arriturat kryesore. Duke u udhëhequr nga zotimi ynë elektorale punë dhe drejtësi ne kemi premtuar se do të ndërmarrim ndryshime sistemore krahas llogaridhënies”, tha Kurti.
“Janë ndalur ndërhyrjet politike në procesin e emërimeve. Janë ngrirë mbi 3 milionë euro në kuadër të hetimeve për financim të paligjshëm dhe shpërlarje të parave. Është dërguar raport në prokurori nga kontratat që i kemi trashëguar për kinse rregullim të shtretërve të lumenjeve, dhe pikërisht aty ne vazhdojmë të kemi vërshime. Është formuar taskë-forca për parandalimin e keqpërdorimit të subvencioneve. Janë anuluar qindra projekte si rezultat i mungesës së dokumentacionit. Është fituar një rast në Arbitrazh, ku buxhetit i janë kursyer 65 milionë euro. Kemi zgjidhjen e problemit shumëvjeçar për mosnjohje të diplomave. Në përgjithësi janë shlyer obligimet e trashëguara financiare gjatë viteve”, tha Kurti.
Ai përmendi edhe sistemin e drejtësisë, teksa për gjyqësorin tha se po tregohet jo-efikas.
“Kemi të trashëguarit e proceseve të fragmentuara e të dyfishuara të planifikimit, dhe jemi në proces të unifikimit në një të vetëm. Kemi trashëguar jofleksibilitetin e ligjit aktual për zyrtarët publik, kemi mungesën e politikave strategjive. Rreth 400 ligje janë në kundërshtim me njëra tjetrën. Natyrisht që tash nevojiten projektligje për plotësim ndryshim. Domosdoshmëria e reformës në Adminsitratë dhe mungesa e kapaciteteve profesionale. Kemi mungesë të memories institucionale. Sistemi i drejtësisë është përgjithësisht jo-efikas. Me krizat e njëpasnjëshme Qeveria është përballur. Kjo situatë ka ndikuar që planifikimet të jenë më afatshkurta. Kemi edhe rritjen e çmimeve që ka ndikuar në mungesën e investimeve kapitale. Neglizhencën, vonesat në punë dhe jo-llogaridhënia nga pjesëtarë të administratës”, tha ai në fillim të mbledhjes.