Kurti: Rugova përfaqësonte politikat e tij për liri, demokraci dhe pavarësi

Kurti: Rugova përfaqësonte politikat e tij për liri, demokraci dhe pavarësi

Kryeministri Albin Kurti ka marrë sot pjesë në zbulimin e shtatores së ish-presidentit Ibrahim Rugova, në Pudujevë.

Kurti tha se Presidenti Rugova përfaqësonte politikat e tij në Kosovë dhe jashtë saj, për liri, për demokraci dhe për pavarësi.

“Fillimi i dekadës së fundit të shekullit të kaluar ishte i rëndë dhe i vështirë, por: Dr. Gazmend Zajmi ishte në krye të hartimit të kushtetutës për mëvetësi me vetëvendosje; Anton Çetta i printe pajtimit të gjaqeve mes shqiptarëve; Adem Demaçi u kthye te populli i tij pas gjithsej 28 vite nëpër burgje; Dr. Ibrahim Rugova e udhëhiqte Alternativën për pavarësi me një rezistencë paqësore; Dr. Ejup Statovci ishte në krye të rimbëkëmbjes së Universitetit të Prishtinës; Ukshin Hoti organizonte demonstrata popullore e shkruante për demokraci autentike; Akademik Rexhep Qosja dominonte debatet historike dhe frymëzonte rininë patriotike; etj. E në fillim të asaj dekade, pasi ishin kthyer nga stërvitjet ushtarake në Shqipëri, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Sali Çekaj organizonin grupet e armatosura drejt formimit të UÇK-së”, shkroi Kurti në një postim në Facebook, teksa shpërndau fotografi nga ceremonia e zbulimit të shtatores.

“Qëndresa shoqërore që i parapriu protestave aktive studentore dhe luftës së lavdishme çlirimtare, kërkonte angazhim intelektual e kontribut qytetar, përkushtim kombëtar e nivel kulturor, vetëdije politike e afirmim ndërkombëtar. Me fjalën e qetë dhe të urtë, me punën e vazhdueshme dhe të durueshme, Presidenti Rugova përfaqësonte politikat e tij në Kosovë dhe jashtë saj, për liri, për demokraci dhe për pavarësi”, shtoi ai.

“Kjo shtatore e Presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë, e realizuar si vepër arti nga skulptori Gëzim Muriqi, e pasuron ikonografinë e shesheve tona publike në nderim dhe kujtim për të”, përfundoi Kurti. /Gazeta Enigma

Related Articles