Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se situata e sigurisë në vend është përmirësuar ndjeshëm, si rezultat i koordinimit institucional dhe bashkëpunimit ndërmjet organeve të inteligjencës, sigurisë dhe drejtësisë.
Këto komente ai i bëri përmes një postimi të gjatë në Facebook, ku ndau vlerësimet e tij për gjendjen aktuale të sigurisë kombëtare.
Sipas Kurtit, përparimi më i madh është arritur në katër komunat veriore, ku ndikimi destabilizues i Serbisë është zvogëluar ndjeshëm dhe sundimi i ligjit është fuqizuar.
Ai tha se veriu i Kosovës, që dikur ishte vatër e aktiviteteve kriminale dhe me ndikim prorus, tani ka pësuar një stabilizim domethënës.
“Reduktimi i kapaciteteve destabilizuese të Serbisë, mbyllja e rrugëve ilegale, luftimi i kontrabandës, shpallja e ‘Mbrojtjes Civile’ dhe ‘Brigadës së Veriut’ si organizata terroriste, arrestimi i bashkëpunëtorëve të inteligjencës serbe dhe ndërhyrjet në laboratorët e drogës në veri janë disa nga rezultatet konkrete,” shkroi Kurti.
Kurti përmendi gjithashtu se sulmet e armatosura si ai në Banjskë më 24 shtator 2023 dhe ai ndaj kanalit Ibër-Lepenc në nëntor 2024 janë menaxhuar me sukses nga institucionet e sigurisë, ndërsa shumë pjesëtarë të strukturave ilegale janë strehuar në Serbi pas ndërhyrjeve të autoriteteve kosovare.
Në postimin e tij, kryeministri Kurti vlerësoi edhe zhvillimet politike brenda komunitetit serb në Kosovë. Sipas tij, “Lista Serbe” nuk ka më kontroll të plotë mbi 10 ulëset e rezervuara në Kuvend, si rezultat i rritjes së pluralizmit politik.
Më tej theksoi se kërcënimi nga grupet ekstremiste me motive fetare është aktualisht i ulët, ndërsa ai nga përhapja e ideologjive radikale është në nivel mesatar.
Ndërkohë, Kosova, sipas Kurtit, ka arritur të parandalojë ndikimin malinj të shteteve si Rusia, Kina dhe Irani, falë bashkëpunimit të shtuar me agjencitë ndërkombëtare të inteligjencës dhe sigurisë.
Kurti shtoi se rolin kyç të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) në përballje me kërcënimet hibride dhe zhvillimin e operacioneve të suksesshme në terren.
“Institucionet tona janë më të koordinuara dhe më të përgatitura se kurrë më parë për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e sovranitetit të vendit,” përfundoi Kurti.