Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar pas vendimit që Qeveria e mori në mbledhje e së martës për propozimin e bordit të ri të drejtorëve në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, raporton Gazeta “Enigma”.
Kurti shkroi se vendimi i sotëm nis përgatitjen e transformimit të AKP-së.
“Për një shoqëri demokratike e që i jep mundësi zhvillimit e progresit, sot i propozuam Kuvendit bordin e ri të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ky vendim nis përgatitjen e transformimit të kësaj agjencie dhe ndaljes së tjetërsimit zhvatës të pronës e pasurisë sonë”, shkroi Kurti.
“Privatizimi i egër që nisi në vitin 2002, nuk ishte brutal vetëm nga aspekti socio-ekonomik. Në qershor 2012, ish kreu i AKP-së u gjet i therrur me 11 të rëna të thikës në një vdekje të dhunshme që ende mbetet enigmatike”, shtoi ai.
Kryeministri tha se Kosova duhet ta ketë Fondin Sovran dhe Agjencinë e Bankës Zhvillimore, ndërsa theksoi se nuk do të jetë e lehtë që këto të realizohen.
“Kosova duhet të lëvizë drejt Fondit Sovran dhe Agjencisë e Bankës Zhvillimore. Nuk do të jetë lehtë dhe as s’e bëjmë dot përnjëherë. Mirëpo, ndryshimi për të cilin votuan qytetarët dhe programi ynë qeveritar janë rruga e së ardhmes. Andaj, ky edhe është bordi i fundit i AKP-së”, shkroi Kurti.