Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë qëndrimit në Japoni, është takuar edhe me Guvernatorin e Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JBIC), Nobumitsu Hayashi.
Kryeministri Kurti e ka njoftuar z. Hayashi për zhvillimet ekonomike në Kosovë dhe i ka konfirmuar pjesëmarrjen e Kosovës në Osaka Expo 2025. Ai bashkë dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë shprehur interesim për programet e kredive të buta të JBIC dhe mundësitë e përfitimit nga ato për projekte zhvillimore të Kosovës.
Në anën tjetër, guvernatori Hayashi e ka njoftuar kryeministrin Kurti dhe delegacionin e tij në lidhje me programet e kredive të buta nga JBIC. Pala japoneze ka shprehur gatishmërinë për të parë mundësitë e bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjellë.