Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida.
I pari i qeverisë së Kosovës, ka njoftuar se ai e ka falënderuar kryeministrin e Japnisë për ndihmën e mbështetjen e vazhdueshme japoneze për zhvillimin e Kosovës.
Po ashtu kryeministri Kurti, ka njoftuar se Kishida ka përcjell përshëndetjet e tij për popullin e Kosovës.
“Në ditën e dytë të qëndrimit në Tokio, në rezidencën shtetërore në Pallatin Akasaka, na priti për vizitë Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida. I shpreha edhe njëherë ngushëllime në emër të popullit dhe qeverisë së Kosovës për vdekjen tragjike të ish Kryeministrit Shinzo Abe, si dhe e falënderova për ndihmën e mbështetjen e vazhdueshme japoneze për zhvillimin e Kosovës. Tregova për të arriturat socio-ekonomike të Kosovës dhe interesimin tonë për investime nga Japonia, teksa konfirmova pjesëmarrjen tonë në EXPO Osaka 2025.”
“Japonia është vend shumë i rëndësishëm i G7, me të cilën ne ndajmë pikëpamje të njëjta vlerore dhe strategjike. Në fund të takimit Kryeministri Kishida më tha të përcjell përshëndetjet e tij për popullin e Kosovës, kurse unë e ftova ta vizitojë Kosovën në një të ardhme të afërt”, ka thënë Kurti.