Kurti takoi policët e aksionit kundër kontrabandës në Leposaviq: Përfshirë ata që u lënduan, dhe drejtorin e Policisë së Kosovës

Kurti takoi policët e aksionit kundër kontrabandës në Leposaviq: Përfshirë ata që u lënduan, dhe drejtorin e Policisë së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi sot policët, pjesëmarrës në aksionin e mbrëmshëm kundër kontrabandës në Leposaviq, përfshirë ata që u lënduan, dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

”Policia jonë çdo ditë demonstron vendosmëri dhe shkathtësi për të siguruar ligjshmërinë në tërë territorin e Republikës”, thuhet mes tjerash në kumtesën e qeverisë.

Mes tjerash potencohet se njëri nga të dyshuarit për vepër penale të rastit, është liruar në procedurë të rregullt.

”Përderisa puna profesionale e policëve ka arritur të sjell personat e dyshuar para drejtësisë, kjo e fundit, në këtë rast Prokuroria, liron njërin të dyshuar në procedurë të rregullt, sipas pohimeve të policëve”.

Kryeministri Kurti gjatë takimit, thuhet se ka shprehur falënderim dhe mirënjohje të thellë për trimërinë dhe profesionalizimin e tyre për të qenë në krye të detyrës, teksa u uroi shërim të plotë sa më të shpejtë policëve të lënduar.

Ai theksoi që shteti ligjor dëshmohet me punën e zellshme të prokurorisë dhe efikase të gjyqësorit. Në mungesë të këtyre të fundit, aksionet e policisë e me këto sigurimi i rendit publik, mbeten të papërfunduara. ”E për të dëshmuar përkushtimin dhe aftësinë në vendosjen e sundimit të ligjit, duhet pritur veprimet e mëtutjeshme të prokurorisë”, u shpreh ai.

Kryeministri Kurti shtoi se luftimi i krimit të organizuar dhe vendosja e rendit dhe ligjshmërisë mbeten ndër prioritetet kryesore të qeverisë dhe sipas tij për këtë Policia e Kosovës gjithmonë do ta ketë mbështetjen e plotë.

Related Articles