Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, ambasadori Hargreaves e ka uruar Kurtin për Qeverinë dhe mandatin e ri, ndërsa gjatë takimit është shprehur gatishmëri nga të dyja palët “për të vazhduar bashkëpunimin e mirë për të avancuar dhe thelluar marrëdhëniet e ndërsjella që Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar kanë ndërtuar me vite”.
“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike, me theks të veçantë përmbylljen e procesit të formimit të institucioneve”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.
Në takim është diskutuar edhe për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, me fokus në fusha të ndryshme të bashkëpunimit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve me Mbretërinë e Bashkuar dhe do të punojë drejt zgjerimit dhe thellimit të partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve me synim që të zgjerojë bashkëpunimin në fushën e tregtisë, investimeve, teknologjisë dhe sportit; në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare”, përfundon njoftimi i Kryeministrisë.
