Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, në të cilën ka miratuar dymbëdhjetë projektligje, tri nisma për lidhje të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe trembëdhjetë vendime tjera.
Vet kryeministri Albin Kurti përmes një postimi ka prezantuar 28 vendimet që sipas tij kontribuojnë në drejtësi, zhvillim dhe siguri publike.
“Mbledhjen e hapëm me aprovimin e projektligjit për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Krimet e kryera dhe dëmet e shkaktuara gjatë luftës duhen adresuar. Mbi të vërtetën, do të ndërtojmë mekanizma dhe institucione për ballafaqimin me të kaluarën”, ka shkruar fillimisht Kurti.
“Fusha e drejtësisë është një nga prioritetet tona. Andaj, miratuam projektligjin për Prokurorinë Speciale dhe Prokurorin e Shtetit, si hapa kyç në drejtim të përmbylljes së reformave të sistemit tonë prokurorial”.
“I hapëm udhë themelimit të Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar“.
“Miratuam masat për kursim të energjisë elektrike në institucione dhe ndërmarrje publike“.
“Themeluam Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, për zbatimin e masave urgjente që do të sigurojnë funksionim normal të sistemit shëndetësor dhe do t’i hapin rrugë reformës në shëndetësi“.
“Për pagesën e specializantëve për periudhën shtator-dhjetor 2022, ndamë 2.61 milion euro“.
“18 milionë euro, për ringjalljen e fshatit përmes bujqësisë dhe agro-turizimit“.